Asociacioni i Shërbimeve Financiare i Maqedonisë së Veriut
  • English
  • Македонски
  • Shqip

Industria “Fintek” po vendos rregulla të reja të lojës në sistemin financiar global

Shërbimet financiare jo bankare të bazuara në teknologjinë financiare, të njohura si shërbimet “fintek”, viteve të fundit po shënojnë një rritje drastike në suaza botërore, dhe në këtë drejtim nuk bën përjashtim as vendi ynë. Termi “Fintek” përdoret për të përshkruar shërbimet e reja të cilat duke përdorur teknologjitë e përparuara dhe novatore përmirësojnë dhe automatizojnë dorëzimin e shërbimeve financiare dhe janë konkurrent serioz i metodave financiare tradicionale në dorëzimin e shërbimeve financiare.

Rritja eksponenciale e Industrisë “Fintek” është evidente gjatë viteve të fundit, dhe vitin e kaluar 2018 përjetoi zenitin e saj në disa parametra, për çka flet raporti i fundit i Shtëpisë Këshillimore “KPMG” – “Pulsi i Fintek-ut 2018”, i  cili vëren se investimet globale në teknologjinë financiare janë rritur për më shumë se 2.200% për shtatë vjet, nga 930 milionë dollarë në vitin 2008 në mbi 22 miliardë dollarë në vitin 2015.

Sipas të njëjtit raport, në vitin 2018 investimet globale në kompanitë “Fintek” arritën 111,8 miliardë dollarë me 2.196 kontrata të aktiviteteve të investimit, nga të cilat dhjetëra prej tyre më të mëdha se 10 miliardë dollarë, që domethënë një rritje dyfish më e madhe në krahasim me vitin 2017 kur ishte 50,8 miliardë dollarë. Vetëm nga nëntori e deri në fund të vitit 2018, investimet globale në “Fintek” shënuan 35,5 miliardë dollarë me 1.431 kontrata rekorde.

Për më tepër, projektimet flasin se rritja do të vazhdojë edhe në këtë vit, 2019.

Vitin e kaluar, vetëm në Evropë investimet në kompanitë “Fintek” arritën 34,2 miliardë dollarë me 536 kontrata të aktiviteteve të investimit. Qendra më e madhe e kompanive “Fintek” është Londra, ku dyzet për qind e fuqisë punëtore është e punësuar në kompanitë që japin shërbime teknologjike financiare. Menjëherë pas saj është Stokholmi, dhe Lituania po fillon të bëhet një qendër e kompanive teknologjike financiare të Evropës së Mesme. Në këtë vend në vitin 2016 janë lëshuar 32, dhe në vitin 2017 madje 51 licenca “Fintek”.

Industria “Fintek” shpejt po transformohet dhe po ndikon në industrinë e shërbimeve financiare në tërësi në lidhje me punën, rregullimin, përvojën e klientëve, e tjerë. Nëse në fillim klientët dëshironin vetëm mënyra më fleksibile të pagesës dhe shërbime më të mira financiare, duke u digjitalizuar dhe zhvilluar teknologjia, nevojat e tyre u zgjeruan edhe në burime alternative të financimit. Hulumtimet e shumta tregojnë se madje 69% e klientëve anembanë botës dëshirojnë që të gjitha shërbimet e tyre financiare t’i përfundojnë përmes kanaleve digjitale, vetëm me disa klikime, në çdo kohë dhe gjithkund. Për këtë arsye nevojat e përdorimit të teknologjisë në çdo sferë të jetës shoqërore do të rriten edhe më shumë, dhe kështu do të rritet edhe vetë industria. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, hapi i ardhshëm i zhvillimit pritet të jetë konvergjenca midis inteligjencës artificiale (AI) dhe shërbimeve financiare, e cila filloi vitin e kaluar dhe do të vazhdojë edhe më shumë në të ardhmen.

Në Maqedoninë e Veriut, promotori kryesor i Industrisë “Fintek” janë shoqatat financiare, formimi i të cilave u mundësua në vitin 2010 me miratimin e Ligjit të Shoqatave Financiare, me idenë për t’i bërë ato një plotësues në sistemin ekzistues financiar. Industria e shoqatave financiare përjetoi një ekspansion të vërtetë viteve të fundit, kur kishte një rritje të trefishtë në numrin e kredive të dhëna dhe në lartësinë e shumës së mjeteve të dhëna financiare, dhe u rrit gjithashtu numri i shoqatave që japin shërbime të tilla. Kjo gjithsesi është një reflektim i nevojave të popullsisë dhe ekonomisë për të siguruar kredi në procedura të thjeshta dhe të shpeshtën në shuma më të vogla, që është ndryshe nga ajo që ofrojnë institucionet tradicionale financiare.

Shoqatat financiare në shërbimet e tyre përdorin zgjidhje moderne teknologjike me të cilat thjeshtë, nga kompjuteri ose celulari, mund të përfundohen të gjitha procedurat e aplikimit, shpejtë kryhet kontrollimi i aftësisë së pagesës së kreditit (solvencës) së kërkuesit dhe brenda një kohe të shkurtër merret përgjigjja dhe mjetet e kërkuara financiare në llogari, po qe se aplikimi është aprovuar.

Industria “Fintek” është në rritje në gjithë botën dhe rritja e saj rapide imponon avancimin e vazhdueshëm të kushteve dhe mënyrave të punës në drejtim të sigurimit të shërbimeve cilësore sipas standardeve të unifikuara dhe krijimin e një klime të mirëkuptimit të ndërsjellë me të gjitha palët e interesuara, si organet legjislative dhe rregullatore. Pikërisht për këtë arsye, shoqatat financiare në vend formuan Asociacionin e Shoqatave Financiare për të punuar së bashku në vendosjen e standardeve të cilësisë së shërbimeve, si dhe në projektimin e strategjisë afatmesme të zhvillimit të industrisë së bashku me organet mbikëqyrëse dhe ligjvënësit. Kjo, nga ana tjetër do të kontribuojë në transparencë më të madhe të industrisë financiare dhe ndërgjegjësim të publikut mbi nevojën dhe dobinë e institucioneve financiare për përdoruesit dhe shoqërinë në përgjithësi.

Pjesë