Asociacioni i Shërbimeve Financiare i Maqedonisë së Veriut
  • English
  • Македонски
  • Shqip

Shoqatat financiare ofrojnë zgjidhje novatore dhe sjellin ajër të freskët në tregun financiar

Inovacionet po hyjnë në çdo sferë të përditshmërisë sonë, e madje edhe në fushën e financave, fushë e cila më herët ishte ekskluzive vetëm për institucionet financiare tradicionale. Mirëpo, kohët po ndryshojnë dhe gjithnjë e më e qartë është se po vjen koha e Industrisë “Fintek” (FinTech) dhe e shoqatave financiare jo bankare. Teknologjia që qëndron pas “Fintek”-ut po vazhdon të rritet dhe të zhvillohet, kështu që kompanitë që përdorin procese teknologjike novatore, ngadalë por sigurt, po pushtojnë tregun financiar global.

Kompanitë “Fintek” përdorin një softuer të përparuar, strategji të përparuara të marketingut dhe teknologji të ndryshme onlajn, të krijuara për dorëzimin dhe afrimin e shërbimeve financiare në mënyrë të sigurt dhe efikase tek klientët dhe në këtë mënyrë i bëjnë ato më atë arritshme se kurrë më parë. Këto kompani përdorin internetin dhe teknologjitë novatore celulare për produkte financiare të tilla si kreditimi, pagesa, tregtimi etj.,  me qëllim të thjeshtë – për të përmirësuar jetën dhe për të maksimizuar përfitimet për përdoruesit fundorë, qytetarët, por edhe kompanitë dhe industritë.

Me rritjen e qasjes në internet, shprehitë e konsumatorëve ndryshuan. Nëse më parë çdo blerje bëhej personalisht, tani konsumatorët gjithnjë e më shumë vendosin të blejnë nga largësia. E njëjta vlen edhe për tregun e shërbimeve financiare. Sot, në tregun e shërbimeve financiare po vërehet kërkesa për një qasje plotësisht të re, për shkak se konsumatorët presin produkte të thjeshta dhe të lehta për përdorim, në vend të orëve të tëra të kaluara para sporteleve, duke plotësuar një grumbull dokumentesh. Kjo në mënyrë të pashmangshme detyron tregun e shërbimeve financiare që të transformohet.

Një aspekt tjetër që ka ndikuar në evolucionin e shërbimeve financiare jo bankare është përparimi teknologjik. Përparësia e ofruesve të shërbimeve jo bankare qëndron në atë se zgjidhjet e tyre të përparuara teknologjike i bëjnë ata më efikasë. Gjithashtu, kultura dhe qëndrimet e tyre janë të ngjashme me ato të kompanive start-up, të cilat përqendrohen në sigurimin e një shërbimi efikas dhe një përvoje të shkëlqyeshme të klientëve,  në mënyrë të kundërt nga korporatat globale, ku shpesh, gjithçka rrotullohet rreth procedurave të rënda burokratike.

Kompanitë “Fintek” dhe institucionet financiare tradicionale nuk janë krejtësisht konkurrentë. Edhe pse të dy subjektet sigurojnë shërbime të ngjashme financiare – huazimin e parave – nevojat e klientëve të institucioneve financiare tradicionale dhe të klientëve të kompanive financiare jo bankare janë të ndryshme. Institucionet financiare tradicionale japin shuma më të mëdha për një afat më të gjatë kohor, ndërsa ato jo bankare ndihmojnë njerëzit për të zgjidhur nevojat akute financiare, ku koha luan një rol vendimtar. Ideja kryesore e institucioneve financiare jo bankare bazohet në detyrimet afatshkurtra, me të cilat përcaktohen përparësitë e huave jo bankare në situatat kur paratë nevojiten shpejt, dhe periudha e shlyerjes nuk është e gjatë. Duke marrë parasysh se shuma e kredisë është shumë më e vogël se sa në institucionet financiare tradicionale, edhe kërkesat burokratike janë në masë të konsiderueshme më të vogla. Shërbimet “Fintek” janë në dispozicion onlajn, që domethënë se klienti nuk duhet të qëndrojë me orë të tëra para sporteleve, duke pritur në radhë të gjata.

Tek ne, promotori kryesor i Industrisë “Fintek” janë shoqatat financiare, formimi i të cilave u mundësua në vitin 2010 me miratimin e Ligjit të Shoqatave Financiare, me idenë për t’i bërë ato një plotësues të sistemit ekzistues financiar. Industria e shoqatave financiare po përjeton një “bum” të vërtetë vitet e fundit kur u trefishua si numri i kredive të aprovuara, ashtu edhe ai i lartësisë së mjeteve të dhëna financiare, dhe u rrit edhe numri i shoqatave që ofrojnë shërbime të tilla.

Shoqatat financiare në shërbimet e tyre përdorin zgjidhje moderne teknologjike me të cilat thjeshtë, nga kompjuteri ose telefoni celular, mund të përfundohen të gjitha procedurat e aplikimit për të marrë hua, shpejt të kryhet kontrolli i aftësisë së pagesës së kredisë së kërkuesit dhe në kohë të shpejtë të merret përgjigjja dhe mjetet e kërkuara financiare në llogari, po qe se aplikimi është aprovuar.

Siç do të zhvillohet teknologjia, ashtu do të rritet edhe sektori jo bankar, dhe Maqedonia e Veriut tanimë është duke kapur hapin me trendët e rinj në sektorin financiar. Një nga sfidat do të jetë harmonizimi ligjor me Direktivën e Sistemeve të Pagesave (PSD2), e cila hyri në fuqi në BE më 13 janar 2018, dhe Maqedonia po përgatit një rregullore që duhet të përshtatë sferën e pagesave me praktikën evropiane.

Direktiva e re parasheh që sistemet financiare tradicionale në Bashkimin Evropian në të ardhmen të mos jenë ofruesit e vetëm të shërbimit të pagesave, por këtë të mund ta bëjnë edhe palët e treta, respektivisht kompanitë e sektorit “Fintek”, kompanitë teknologjike, rrjetet sociale si Facebook, Google, dhe të gjithë aktorët tjerë të tregut.

Thënë më thjeshtë, ky koncept në masë të madhe do të kontribuojë në zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja të orientuara maksimalisht kah përdoruesit, duke rritur kështu konkurrencën dhe përparimin e tregut të shërbimeve financiare.

Nevojat e përdorimit të teknologjisë do të rriten edhe më shumë, dhe kështu edhe vetë industria, dhe sipas vlerësimeve të ekspertëve, hapi i ardhshëm i zhvillimit pritet të jetë konvergjenca midis inteligjencës artificiale (AI) dhe shërbimeve financiare, e cila filloi vitin e kaluar dhe do të vazhdojë edhe më shumë në të ardhmen.

Industria “Fintek” edhe tek ne në të ardhmen me siguri do të zhvillohet edhe më shumë për shkak se përfaqëson ardhmërinë e sistemit financiar në botë. Pikërisht për këtë arsye, shoqatat financiare, si bartëse të Industrisë “Fintek” në vend, kohët e fundit formuan Asociacionin e Shoqatave Financiare për të punuar së bashku në vendosjen e standardeve të cilësisë së shërbimeve. Por, edhe për të projektuar një strategji afatmesme të zhvillimit të industrisë, për çka Asociacioni do të jetë partner me ligjvënësit në miratimin e rregulloreve përkatëse ligjore me të cilat vendi ynë duhet të kapë hapin me lëvizjet botërore në sektorin financiar.

Pjesë