Asociacioni i Shërbimeve Financiare i Maqedonisë së Veriut
  • English
  • Македонски
  • Shqip

Qasshmëria, efikasiteti dhe shpejtësia si përparësi kryesore të sektorit financiar jo bankar

Sektori financiar jo bankar si një nga sektorët më të mëdhenj të Industrisë “Fintek”, dekadave të fundit po shënon një rritje dhe zhvillim rapid, duke lëvizur tregun dhe duke promovuar përparimin e  industrisë së shërbimeve financiare në nivel botëror.

Thelbi i institucioneve financiare jo bankare (IFJB), tek ne të njohura si shoqata financiare, është plotësimi i nevojave afatshkurtra financiare të qytetarëve për shërbime financiare në mënyrë të shpejtë, efikase dhe të thjeshtë, duke aplikuar teknologji të përparuar dhe novatore në të gjitha kanalet e preferuara nga konsumatorët, duke theksuar kanalet digjitale.

Mirëpo, çfarë në thelb i dallon institucionet financiare tradicionale dhe institucionet financiare jo bankare? A janë ata konkurrentë?

Mund të thuhet se institucionet financiare tradicionale dhe institucionet financiare jo bankare, në thelb nuk janë konkurrentë, për shkak se ekzistojnë disa dallime të mëdha midis tyre, si nga aspekti i grupeve të synuara ashtu dhe nga aspekti i teknologjisë, qasjes së përdoruesve etj., por përgjithësisht, mund të thuhet se pikërisht këto dallime i bëjnë ato subjekte komplementare në tregun financiar që kontribuojnë në rritjen e aktivitetit financiar dhe përparimin e gjithë industrisë.

Një nga dallimet kryesore është teknologjia. Shoqatat financiare në shërbimet e tyre përdorin zgjidhje moderne teknologjike me të cilat thjeshtë dhe për disa sekonda, nga kompjuteri ose celulari, mund të përfundohen të gjitha procedurat e aplikimit, të kryhet kontrollimi i aftësisë së pagesës së kredisë (solvencës) së kërkuesit dhe brenda një kohe të shkurtë të merren përgjigjja dhe mjetet e kërkuara financiare në llogari, po qe se aplikimi është aprovuar. Përparësia e ofruesve të shërbimeve jo bankare qëndron në atë se zgjidhjet e tyre teknologjike janë moderne, gjë që i bën shumë më efikase dhe me rritjen e qasjes në internet dhe ndryshimin e shprehive të përdoruesve për të pasur qasje në shërbimet e kanaleve digjitale, shoqatat financiare mund t’u sigurojnë klientëve një proces plotësisht të ri, krejtësisht të digjitalizuar, në vend të orëve të tëra të kaluara në filialet ose plotësimit të një grumbulli dokumentesh.

Gjithashtu, kultura dhe qëndrimet e kompanisë janë të ngjashme me ato të kompanive start-up, të cilat përqendrohen në sigurimin e një shërbimi efikas dhe një përvoje të shkëlqyeshme të përdoruesit,  në mënyrë të kundërt me korporatat globale, ku shpesh, gjithçka rrotullohet rreth procedurave të vështira burokratike.

Përdoruesit e shërbimeve të shoqatave financiare të shpeshtën janë ata klientë që kanë nevojë për kredi të vogla, mikro-kredi, të cilat do t’u ndihmojnë atyre për të përmbushur nevojat e paparashikuara financiare, për të mbuluar shpenzimet e paparashikueshme në familje etj. Këto produkte janë përshtatur kryesisht për një përdorim afatshkurtër, të shpeshtën deri në 12 muaj, duke mos detyruar kështu konsumatorin që të hyjë në marrëdhënie financiare të siguruara afatgjate.

Personalizimi, menjëhershmëria, thjeshtësia dhe qasshmëria e plotë. Institucionet financiare jo bankare ofrojnë qasje individuale, fleksibilitet, diskrecion, thjeshtësi gjatë aplikimit, që nënkupton shmangien e procedurave të sportelit dhe të dokumentacionit të panevojshëm, si dhe përjashtimin e shpenzimeve të noterit. Ato aplikohen onlajn, përmes çdo pajisje interneti, në procedura të shkurta kontrollohet aftësia e pagesës së kredisë (solvencës) së kërkuesit, dhe pastaj sërish onlajn aprovohet kredia, gjë që nuk është rasti me institucionet financiare tradicionale ku ekzistojnë procedura të gjera, mbledhja e dokumenteve të nevojshme, sigurimi i garantuesve, vizitimi i filialeve disa herë etj.

Shoqatat financiare gjithashtu hapin filiale dhe punësojnë personel lokal edhe në mjediset rurale dhe qytetet e vogla ku institucionet financiare tradicionale nuk kanë treguar interesim për të punuar dhe për të ofruar shërbime për konsumatorët.

Nga aspekti i produkteve, institucionet financiare tradicionale japin shuma më të mëdha për një periudhë më të gjatë kohore dhe deri kohët e fundit, ishte gati e pamundur të merrej kredi nga një institucion financiar tradicional në vlerë prej 6.000, 10.000, 15.000 denarësh, shuma që shpesh nevojiten urgjentisht si intervenim financiar për disa shpenzime të paparashikuara. Nga ana tjetër, institucionet financiare jo bankare ndihmojnë klientët e tyre për të zgjidhur nevojat akute financiare, ku koha luan rol vendimtar. Ideja kryesore e institucioneve jo bankare bazohet në obligime afatshkurtra, me të cilat përcaktohen përparësitë e kredive jo bankare, në situata kur paratë nevojiten shpejt, dhe periudha e pagesës nuk është e gjatë. Duke marrë parasysh se shuma e kredisë është shumë më e vogël se sa në institucionet financiare tradicionale, së këtejmi edhe kërkesat burokratike janë në mënyrë të konsiderueshme më të vogla.

Gjithashtu, ekziston edhe një dallim shumë i rëndësishëm midis dy subjekteve, dhe kjo është mënyra e financimit të operacioneve të punës. Në fakt, për dallim nga institucionet financiare tradicionale, institucionet financiare jo bankare nuk mbledhin depozita, respektivisht depozita kursimesh, të cilat në institucionet financiare tradicionale janë burimi kryesor i financimit të lirë, dhe pastaj nga të njëjtat edhe kreditimi. Institucionet financiare jo bankare aktivitetet e tyre i financojnë ose nga fondet e tyre ose, në një masë të madhe, nga kreditë.

Pikërisht për këtë arsye aktivitetet që i kryejnë shoqatat financiare janë një plotësues i vërtetë i veprimtarisë kreditore të institucioneve financiare tradicionale. Puna e tyre mund të quhet gjithashtu konkurrencë pozitive që kontribuon në ndryshimin e qasjes konservatore në lidhje me kreditimin dhe qytetarët.

Në Maqedoninë e Veriut, përfaqësues të sektorit financiar jo bankar janë shoqatat financiare që përfaqësojnë industrinë e cila viteve të fundit po rritet me një temp të përshpejtuar, duke riafirmuar se popullsia kishte nevojë pikërisht për një lloj të tillë shërbimesh.

Për të krijuar një praktikë të përgjegjshme, një bashkëpunim afatgjatë dhe një vlerësim pozitiv nga konsumatorët dhe institucionet e rregullimit të tregut, si dhe për t’i prezantuar publikut të gjerë mundësitë e ndryshme që mund të sigurohen nga shoqatat financiare që “Fintek”, në muajin maj të këtij viti u formua Asociacioni i Shoqatave Financiare, i cili në këtë moment përbëhet nga 7 shoqata financiare që veprojnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si: Shoqata Financiare “Tigo Fajnans”, Shoqata Financiare “Digjital Fajnans”, Shoqata Financiare “MOGO”, Shoqata Financiare “M Kesh”, Shoqata Financiare “SN Financat” dhe Shoqata Financiare “Iute Kredit”.

Kjo do të promovojë praktika të sigurta, me përgjegjësi shoqërore dhe të qëndrueshme, dhe në të njëjtën kohë do t’u japë mundësinë shoqatave financiare të punojnë së bashku në vendosjen e standardeve të cilësisë së shërbimeve, si dhe të projektojnë një strategji afatmesme të zhvillimit të industrisë së bashku me organet mbikëqyrëse dhe ligjvënësit. Në të njëjtën kohë, Asociacioni do të angazhohet edhe në promovimin e mundësive që i japin zgjidhjet teknologjike financiare jo bankare, dhe të cilat do të jenë të dobishme për individët dhe shoqërinë. Bashkëpunimi i ndërsjellë i shoqatave financiare do të sigurojë një mirëbesim më të madh si të përdoruesve, ashtu edhe të institucioneve kompetente dhe në këtë mënyrë do të arrihet një transparencë më e madhe e industrisë financiare.

Pjesë